Kënga qytetare Shkodrane është një thesar me vlera artistike kombëtare. Repertori i saj është shumë i pasur dhe i larmishëm, e lindur në një ambient e në rrethana të caktuara historike. Ashtu si filigramat, meloditë e bukura Shkodrane janë punuar me mjeshtri,janë lëmuar në rrjedhen e kohërave nga populli duke na ardhur edhe sot të freskëta dhe origjinale. Kemi këngë shumë të vjetra,qindra vjeçare siç janë vallet e kënduara (Shtregullat), të cilat interpretohen në oborret dhe bahçet e shtëpive shkodrane, me dhe pa shoqërim instrumental në raste të tilla si përgjatë ritualit te dasmes ( tek vajza dhe djali), në festat e pranverës,e në gëzime familjare.Këto këngë janë shumë të brishta po aq sa të thjeshta në strukturë (ritmikë dhe melos ) por shumë origjinale. Krahas valleve të kënduara, në folklorin muzikor të qytetit të Shkodrës bëjnë pjesë dhe këngët e Ahengut ( një ndër kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore kombëtare), këngë të cilat mjeshtrat popullorë shkodranë i kanë trashëguar brez pas brezi, duke rritur shprehjen,forcën dhe bukurinë e tingëllimit të tyre. Këngët e ahengut kanë lindur si nevojë e natyrshme në një stad të cakturar të zhvillimit të qyteteve tona, për të thënë diçka më festive se vallet e kënduara. Vetë ndërtimi i këngëve si formë më e zhvilluar, lindi si domosdoshmëri për të transmetuar një përmbajtje të re,një realitet të ri që solli vetë zhvillimi i qyteteve gjatë shekujve XVIII- XIX.
Ndonëse në ndërtimin melo ritmik ndihet influencë orientale, këngët e ahengut duhen konsideruar dhe trajtuar si shkëmbime të natyrshme vlerash kulturore muzikore të cilat nuk cënojnë në asnjë rast tërësinë origjinale kombëtare të këngëve të krijuara, interpretuar, transmetuar nga brezi në brez nga artistet shkodranë. Ritmika e këngëve të ahengut është shumë e pasur dhe forma e ndërtimit të saj tërë larmi, si tek ato dy pjesëshe, tre pjesëshe, tek ato ritmike të gjalla e plot energj e deri ne forma të lira “ad libitum” siç janë Jaret e famshme të cilat i përkasin “Ahengut Shkodran” ku me një stil të veçantë dhe formë më të zhvilluar , shpirti I ashikut Shkodran, shprehte dashurinë e fshehtë vetëm nëpërmjet këngës. Struktura modale e Ahengut është shumë e larmishme dhe komplekse, por me një rregull të caktuar renditje për interpretim që përfaqëson sistemin e dymbëdhjetë modeve (dymbëdhjetë mekame). Duke filluar nga modet natyrore maxhor- minor, deri tek ato të ashtuquajtura orientale. Këto shkallë modale muzikore populli i quan “Makam” “Mekam” ose “Perde”. Janë shtatë grupe këngësh. Secili grup paraprihet nga një përcjellëse instrumentale. Për të interpretuar këto këngë duhet të kesh aftësi vokale me zë prej tenori dhe të interpretosh saktë të gjitha ornamentet dhe finiturat e saj. Ahengu bahej në ditën e dasmës edhe në naten e martesës dhe fillonte në mbrëmje dhe mbyllej në orët e para të mëngjezit me këngët e grupit “Sabah”. Shoqërimi orkestral përbëhej nga violina ,saze , kavalli, dajre ,lugë ose çapare e me vonë u futen braçi , klarineta, kitarra, harmonika, fizarmonika, kontrabasi. Tematika është e larmishme nga lirika sentimentale deri tek këngët e trimërisë.
Me këngën shkodrane u moren dhe profesionistë, poetë dhe kompozitorë të mirëfilltë dhe kjo traditë vazhdon edhe sot duke ja transmetuar sa më shumë brezit të ri. Duhet theksuar se vetë populli dhe banorët e Shkodrës jo vetëm që e pëlqejnë këngën e tyre por dhe e ruajnë me fanatizëm origjinalitetin e saj, pasi ajo është pjesë e identitetit të qënurit shkodran dhe shqiptar. Sa është e vështirë të krijosh vlera artistike, po aq e vështirë është dhe për t’i ruajtur dhe për t’i transmetuar këto vlera brezave të ardhshëm pa i deformuar dhe denatyruar. Kjo ka qënë motoja e punës për disa vite me rradhë në Qendrën e Kulturës”Pjetër Gaci” Shkodër. Duhet të kemi kujdes për ruajtjen dhe transmetimin e kësaj vlere me të gjithë elementet e saj përbërës dhe për këtë kërkohet që asnjëherë të mos tërhiqemi në ruajtje të kësaj vlerë që me të drejtë është shpallur kryevepër e trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
Përgatitur dhe përmbledhur nga Bardhyl Hysa